Albanian

NE NUK JEMI TË BEFASUARA

Ne jemi artiste, administratore arti, asistente, kuratore, drejtoresha, redaktore, edukatore, galeriste, praktikante, studiuese, studente, shkrimtare, dhe shumë më tepër – punëtore të botës së artit – dhe ne na kanë futur duart, jemi nënvlersuar, ngacmuar, infantilizuar, përbuzur, kërcënuar, dhe trembur prej atyre që ndodhen në pozita pushteti dhe kontrollojnë qasjen në burime dhe mundësi. Ne e kemi mbajtur gojën kyçur, të kërcënuara nga pushteti i ushtruar mbi ne dhe nga premtimet për të rrokur qasje në institucione dhe përparim në karrierë.

Ne nuk jemi të befasuara kur kuratorët ofrojnë ekspozita apo mbështetje në këmbim të favoreve seksuale. Ne nuk jemi të befasuara kur galeristët romatizojnë, minimizojnë, ose fshehin sjelljen abuzive seksuale të artistëve që përfaqësojnë. Ne nuk jemi të befasuara kur një takim me një koleksionist apo klient potencial shndërrohet në një propozim seksual. Ne nuk jemi të befasuara nga kundërvënia dhe hakmarrja ndaj nesh për mosbindje. Ne nuk jemi të befasuara kur Knight Landesman na fut duart në stendën e një panairi arti teksa na premton se do të na ndihmojë me karrierën. Abuzimi me pushtetin nuk na befason.

Kjo letër e hapur vjen si rrjedhojë e një bisede në grup mbi abuzimin seksual në fushën tonë, në vazhdën e bërjes publike të sjelljes abuzive seksuale të Knight Landesman. Biseda është përhapur më tej dhe ndërkombëtarisht. Puna e vështirë për të çuar përpara drejtësinë shpesh pritet dhe kryhet nga gratë me ngjyrë, trans, dhe personat jo në përputhje me gjininë.

Efikasiteti ynë mbështetet në marrjen e këtij pikëtakimi shumë seriozisht e duke mos lënë mënjanë të tjerë faktorë përforcues të cilët i kontribuojnë paragjykimeve, përjashtimit dhe abuzimit. Këta faktorë shtesë përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në identitetin gjinor, aftësinë, fenë, klasën dhe statusin e emigrantit. Ekziston një nevojë urgjente për të ndarë eksperiencat tona mbi seksizmin e kudogjendur, trajtimin e pabarabartë dhe të papërshtatshëm, ngacmimin dhe shkeljet me natyrë seksuale që i përjetojmë rregullisht, gjerësisht, dhe në mënyrë të ashpër.

Shumë institucione dhe individë me pushtet në botën e artit e përqafojnë retorikën feministe dhe drejtësinë në teori, shpesh duke përfituar financiarisht nga pretendimet e brishta të politikave progresive, ndërsa në praktikë ruajnë dhe mëkojnë normat shtypëse, seksiste dhe të dëmshme. Ata që janë në pushtet injorojnë, justifikojnë ose përfshihen çdo ditë në raste të ngacmimit dhe poshtërimit të tjetrit, duke krijuar një mjedis pranues dhe bashkëpunues në shumë abuzime më të rënda dhe të paligjshme me pushtetin.

Dorëheqja e njërit prej botuesve nga një revistë prestigjoze nuk e zgjidh problemin me të gjerë dhe të kamufluar: një botë arti që mbështet strukturat e trashëguara të pushtetit me koston e sjelljes etike. Abuzime të ngjashme brenda kësaj industrie ndodhin shpesh dhe në një shkallë më të gjerë në nivel ndërkombëtar. Ne jemi heshtur, izoluar, patologjizuar, mospërfillur, nën justifikimin e ‘’ekzagjerimit’’, dhe jemi kërcënuar kur kemi tentuar ta ekspozojmë sjelljen abuzive seksuale dhe emocionale.

Ne nuk heshtim më.

Ne nuk do t’i injorojmë më vërejtjet tuaja poshtëruese, duart tuaja të imponuara mbi trupat tanë, kërcënimet dhe dhe frikën e ushtruar të maskuara si flirtime, apo heshtjen e kolegëve të dyzuar. Ne nuk do të tolerojmë të turpërohemi apo të mos besohemi. Ne nuk do ta tolerojmë damkosjen që vjen me të ngriturit e zërit. Ne nuk do t’i bashkohemi ‘’task force’’-ave për të zgjidhur një problem që është kryer kundra nesh. Ne kemi sjellë një përcaktim për ‘’ngacmimin seksual’’ më poshtë, për ato/a që mund të ndihen të pafuqishme/ëm në mënyrë që t’ia bashkangjisin një dokumenti i cili përkrah një mjedis të sigurt pune për të gjithë.

Ne, të nënshkruarat – ato që kanë përjetuar abuzim dhe ato që solidarizohen me ne – i bëjmë thirrje institucioneve të artit, bordeve dhe kolegëve që ta rimarrin në konsideratë rolin e tyre për sa i përket problemit të vazhdimësisë së padrejtësive me natyrë seksuale dhe abuzimit, sikurse planifikimet për trajtimin dhe zgjidhjen e këtyre problemeve në të ardhmen.
Ne jemi shumë në numër tashmë për t’u heshtur ose injoruar.
Me gjithë sa kemi përjetuar dhe dëshmuar, kjo letër s’duhet t’ju vijë si befasi.

**Kjo letër i dedikohet memories së historianes së artit feministe Linda Nochlin (1931 – 2017), aktivizmi, shpirti, dhe shkrimet prijëse të së cilës kanë qenë frymëzuese për punën tonë.

#NOTSURPRISED
Instagram: @notsurprised2017
Twitter: @Not_Surprised1
Facebook: notsurprised2017

PËRKUFIZIMI PËR NGACMIMIN SEKSUAL

Ngacmimi seksual është një lloj abuzimi që kryhet në nivel personal ose institucional dhe që e përdor sjelljen seksuale për të alarmuar, kontrolluar, poshtëruar, intimiduar, sulmuar, nënvlerësuar, poshtëruar ose turpëruar një person.

Ngacmimi seksual mund të ndodhë ndërmjet kujtdo, pavarësisht gjinisë ose orientimit të tyre seksual.

Ngacmimi seksual rrallëherë lidhet thjesht me dëshirën seksuale. Ai është zakonisht një keqpërdorim ose abuzim i pushtetit ose pozitës, autorët e të cilit e përdorin sjelljen seksuale si mjet ose armë.

Kjo është një sjellje grabitqare dhe manipuluese, shpesh e përdorur për të konfirmuar superioritetin ose dominancën e një personi ndaj një tjetri.

Ngacmim seksual është çdo sjellje e papranueshme me natyrë seksuale që mund të shfaqet në shumë forma të cilat përfshijnë një kontakt fizik të panevojshëm, të padëshiruar ose të pakërkuar; komente komplimentuese ose përçmuese; komente të padëshiruara mbi pamjen fizike të një personi ose rrobat e saj/tij; komente mbi orientimin seksual të dikujt ose identitetit gjinor; pyetje për jetën seksuale të personit; oferta seksuale të padëshiruara, ftesa dhe flirtim; ta vendosësh tjetrin në një situatë të sikletshme ose të parehatshme duke i treguar apo duke ndarë me të materiale seksuale; të bësh dhurata personale të papranueshme; të fishkëllesh; të përdorësh epitete vulgare më natyrë seksuale; të ndjekësh; t’i ngulësh sytë apo ta përndjekësh dikë.

Ngacmimi seksual nuk ndodh gjithmonë ballë për ballë. Ai mund të manifestohet në e-mail; nëpërmjet imazheve vizuale, medias sociale, telefonit, mesazheve të shkruara, ose çdo platforme tjetër mediatike. Nuk është e nevojshme që abuzuesi t’i njohë veprimet ose fjalët e tij si ngacmim seksual që ky i fundit të konsiderohet kësisoj.

Viktima e ngacmimit seksual mund ta njohë abuzuesin mjaft mirë ose mund të mos e njohë atë fare, për shembull, ta ketë takuar fill në çast. Sjellja abuzuese mund të ndodhë vetëm një herë ose shumë herë përgjatë një përiudhe të shtrirë në kohë. Viktima mund të ndeshet me abuzuesin në mjedisin e punës, në rrethe sociale ose nëpërmjet lidhjeve personale. Viktima mund të përfshihet profesionalisht ose në mënyrë shoqërore me abuzuesin. Viktima së jashtmi mund të duket sikur e miraton apo bie dakord me abuzuesin mbi aktin (ngacmimin / abuzimin), dhe mund ose të krijojë përshtypjen sikur po mban një marrëdhënie me abuzuesin. Viktima mund të përfshihet në një takim që mund të mos jetë i dëshiruar dhe që mund të përbëjë ngacmim, edhe nëse viktima dhe abuzuesi kanë patur përfshirje ose marrëdhënie konsensuale më herët.

Kjo nuk do të thotë që sjellja seksuale ka qenë e pranuar ose e kërkuar. Nëse sjellja është e padëshiruar, e paftuar ose e pakërkuar, ajo përbën ngacmim seksual, pavarësisht rrethanave të takimi ose llojit të marrëdhënies. Viktima nuk ka pse të ofrojë asnjë lloj arsyetimi për të refuzuar pjesëmarrjen në akt.

Ngacmimi seksual është tejet shkatërrimtar për viktimën dhe mund të shkaktojë dëmtime psikologjike serioze. Nëse ndodh në një mjedis pune, shkolle apo institucional, kjo sjellje mund ta kufizojë mundësinë e dikujt për të kryer punën dhe mund të dëmtojë reputacionin, karrierën dhe arritjet e viktimës. Reduktimi i vlerës së një personi te seksualiteti i tyre, minimizon aftësitë dhe kontributet e tyre profesionale.

Të turpëruarit e viktimës, të fajësuarit dhe të neglizhuarit e eksperiencës së saj/tij, shpesh nga njerëzit te të cilët viktima drejtohet për ndihmë, i kontribuon një kulture heshtjeje dhe fshehtësie. Një mjedis i këtillë mundëson vazhdimësinë e abuzimit fillestar me pushtetin.

Ngacmimi seksual zakonisht përdoret prej atyre që gëzojnë pushtet për të sunduar dhe ushtruar kontroll mbi vartësit. Për këtë arsye, mund të rezultojë e vështirë ose e rrezikshme për viktimën e ngacmimit seksual që të flasë hapur. Gjithashtu, për shkak të natyrës seksuale të këtij lloj abuzimi me pushtetin, rreziku kombinohet shpesh me ndjenjën e turpit dhe sikletit.

Ngacmimi seksual mund të mos raportohet për muaj ose vite, nëse zgjidhet të raportohet ndonjëherë, dhe viktimat mund të mos ndihen të gatshme të dalin me emrin e tyre prej frikës së revanshit të ashpër. Zgjatja e kohës së heshtjes apo fshehjes së abuzimit që nga çasti i kryerjes së ngacmimit, nuk ia zhvoshk vlefshmërinë pretendimeve.

Translation by Gresa Hasa and Eriola Pira